I burgosuri u arratis para syve të tyre, Gjykata e Shkodrës liron 4 policët

I burgosuri u arratis para syve të…

Gjykata e Shkodrës ka vendosur lirimin e katër punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët u arrestuan disa ditë më parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në lidhje me arratisjen e Hasan Ferracakut nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Bëhet fjalë për inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari dhe Dioniz Hotaj, si edhe punonjësin Ridvan Zefi, të gjithë pjesë e Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër.

Arrestimi i tyre erdhi pasi kontrollet e AMP-së zbuluan se Ferracaku nuk ndodhej në banesën ku duhej të qëndronte nën masën e sigurisë, ndonëse ishte në mbikëqyrje të vazhdueshme nga efektivët e policisë. Për Ferracakun është regjistruar procedim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Ai u largua nga banesa më 2 korrik, duke iu shmangur kontrollit, edhe pse sipas autoriteteve ruhej 24 orë në ditë. Deri më tani nuk është bërë e ditur se si ka mundur të largohet pa u konstatuar nga efektivët që kishin detyrën e mbikëqyrjes.

Hasan Ferracaku është një nga personat e dyshuar për masakrën e Velipojës, të ndodhur pesë vite më parë, ku humbën jetën Kujtim Ferracaku, Edmond Gocaj, Xhovan Gocaj dhe kamarieri Myzerim Zeneli. Nga ajo ngjarje mbetën të plagosur edhe vetë Ferracaku, si dhe nipi i tij, atëherë 17 vjeç.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit