Rama dhe Gonxhja gënjyen publikisht: Kaluan 4 milionë euro nga paratë tona për koncertin e Kanye West

Rama dhe Gonxhja gënjyen publikisht: Kaluan 4…

Një skenar i paprecedent po zhvillohet në prapaskenat e koncertit të reperit amerikan Kanye West në Tiranë. Dokumentet zyrtare të siguruara tregojnë se si qeveria shqiptare ka bërë një kthesë 180 gradë, duke kaluar nga mohimi kategorik i financimit publik te zbrazja e fondit rezervë të shtetit për të shpëtuar një aktivitet privat që po përballet me rrezik dështimi financiar.

Nga “asnjë qindarkë” te marrëveshja sekrete pa tender

Më 6 korrik, përmes një lëvizjeje të shpejtë, Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ Nr. 3, duke alokuar urgjentisht 400,000,000 lekë, ose mbi 4 milionë euro, nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Paratë kalojnë në zërin “Transferta të brendshme” medestinacion të përcaktuar: koncertin e Kanye West më 11 korrik 2026. Neni 3 i këtij akti autorizon ministrinë të lidhë marrëveshje direkte me kompaninë private organizatore, duke shmangur plotësisht procedurat e tenderimit publik.

Ky vendim vjen më pak se një muaj pasi e njëjta ministri, në një përgjigje zyrtare për kërkesë informacioni të datës 10 qershor, deklaronte prerazi se:

“Nuk është parashikuar asnjë fond publik, grant, subvencion apo mbulim shpenzimesh nga buxheti i shtetit. Eventi financohet tërësisht nga organizatorët privatë”.

Gjithashtu, më 1 maj, Ministri Blendi Gonxhja kishte garantuar publikisht se asnjë fond nuk do të shkonte për skenën apo logjistikën, dhe se mbështetja shtetërore do të ishte vetëm në kapacitete njerëzore për mbarëvajtjen jashtë stadiumit.

Alibia e kryeministrit dhe dështimi me biletat

Një ditë pas miratimit të aktit normativ, më 7 korrik, gjatë një inspektimi në stadiumin “Eagle” në Kashar, strukturë që po ngrihet nga e para vetëm për këtë event, Kryeministri Edi Rama u detyrua ta pranojë faktin. Ai u shpreh se shteti ndërhyri me 4 milionë euro për të garantuar mbarëvajtjen për mijëra ndjekës që kanë blerë bileta nga 80 shtete të botës.

Megjithatë, ajo që qeveria nuk thotë është se ky “shpëtim” lidhet direkt me ecurinë e dobët të shitjeve. Ndërsa organizatorët synonin të shisnin të paktën 40 mijë bileta nga 60 mijë vende që ka kapaciteti total për të nxjerrë kostot (deri në fund të majit ishin shitur rreth 25 mijë), të dhënat aktuale nga platforma zyrtare e shitjes tregojnë një panoramë problematike. Vetëm pak ditë para koncertit, harta e stadiumit dëshmon se pjesa më e madhe e tribunave dhe zonave kryesore mbeten të pashitura, me mijëra vende bosh.

Skandali me shpërndarjen e fondeve të kulturës

Për të kuptuar përmasën e këtij financimi, i gjithë fondi publik vjetor i Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e të gjitha ngjarjeve kulturore dhe turistike në vend është 190 milionë lekë. Kjo do të thotë se një artist të vetëm ndërkombëtar, me një histori të gjatë deklaratash kontroverse, përfshirë ato mbi antisemitizmin dhe Hitlerin, po i jepet më shumë se dyfishi i buxhetit që përdoret për të gjithë skenën kulturore shqiptare gjatë vitit.

Deri më tani, as qeveria dhe as Ministria e Turizmit nuk kanë dhënë asnjë sqarim se cilat zëra konkretë po paguhen me këto 4 milionë euro të taksapaguesve dhe pse dështimi i riskut të një biznesi privat duhet të mbulohet nga paratë e buxhetit të shtetit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit