Ish-kandidati i Partisë Socialiste për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura, është arrestuar mbrëmjen e kësaj të marte nga Policia e Shtetit.
Gjura ishte shpallur në kërkim, pasi ndaj tij gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.
Arrestimi i tij lidhet me hetimet për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të paligjshëm të pronave në Dibër, për të cilën policia ndërhyri më 17 qershor, pas një hetimi 7-mujor.
Në atë operacion u ekzekutuan 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ndaj disa personave të dyshuar se kishin përfituar nga falsifikimi i dokumenteve.
Sipas hetimeve, punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Kadastrës Dibër, në bashkëpunim me një notere dhe persona të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime administrative të kundërligjshme për të tjetërsuar prona në favor të shtetasit T.D. dhe familjarëve të tij.
Burime bëjnë me dije se pas arrestimit, Daniel Gjura po merret në pyetje nga policia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e tij në këtë dosje.
Gjura ka mbajtur më parë edhe postin e drejtorit të Kadastrës Dibër dhe ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Hetimet për skemën e dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave vazhdojnë, ndërsa priten zhvillime të tjera nga organet ligjzbatuese.