Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin e qeverisë për të akorduar 4 milionë euro për koncertin e reperit amerikan Kanye West, duke argumentuar se fondi u dha “në minutën e fundit” për të shmangur, sipas tij, turpërimin e Shqipërisë përballë rreth 25 mijë të huajve nga 80 vende, të cilët kishin blerë tashmë biletat. Sipas Ramës, ndërhyrja financiare ishte e domosdoshme për të shpëtuar eventin dhe për të ruajtur imazhin e vendit.
Për të mbështetur këtë vendim, kreu i qeverisë parashikoi se koncerti do t’i sjellë ekonomisë shqiptare jo më pak se 100 milionë euro të ardhura nga turizmi, konsumi dhe rezervimet në hotele, duke krahasuar ndikimin e pritshëm me përfitimet që, sipas UEFA-s, solli finalja e Conference League në vitin 2022. Ai tha se mjafton të shihet rritja e rezervimeve në platformat turistike për fundjavën e koncertit për të kuptuar efektin ekonomik që pritet të ketë eventi.
Rama iu përgjigj me tone të ashpra kritikëve të financimit, të cilët kanë ngritur pikëpyetje për përdorimin e parave publike, duke i cilësuar ata “sorra”, “korba” dhe “manipulatorë”. Kryeministri argumentoi se qeveria ka gjetur njëkohësisht fonde edhe për shëndetësinë, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar dhe biznesin, ndërsa kritikët, sipas tij, po përpiqen ta paraqesin financimin e koncertit si një dëm për interesin publik.