Google ka përfunduar një përditësim të gjerë të imazheve të “Street View” në Shqipëri, duke sjellë pamje të reja me rezolucion më të lartë nga qytetet, rrugët, zonat turistike dhe peizazhet natyrore të vendit. Përditësimi është pjesë e një nisme rajonale që përfshin edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku automjetet e Google kanë përshkuar mbi 103 mijë kilometra për mbledhjen e imazheve të reja.
Në Shqipëri, pamjet e përditësuara përfshijnë qytete si Tirana, Durrësi dhe Vlora, por edhe destinacione të njohura turistike e kulturore si Berati, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe Syri i Kaltër. Përmes teknologjisë “Street View”, përdoruesit mund të eksplorojnë virtualisht rrugë, sheshe dhe atraksione përmes pamjeve panoramike 360 gradë, duke ndihmuar në orientim dhe planifikimin e udhëtimeve.
Përditësimi pritet të ndikojë pozitivisht në promovimin e turizmit dhe në ekspozimin e bizneseve lokale në Google Maps, duke ofruar një paraqitje më të saktë të vendndodhjeve. Google ka bërë të ditur se për mbrojtjen e privatësisë, fytyrat e personave dhe targat e automjeteve mjegullohen automatikisht përpara publikimit të imazheve.