Një qytetar ka ngritur shqetësimin për gjendjen e plazhit në Mali i Robit, Kavajë, duke thënë se situata është problematike çdo vit dhe pa asnjë ndërhyrje nga institucionet.
Në një mesazh dërguar në redaksinë tonë, ai shprehet se ka ardhur nga Italia së bashku me familjen për të kaluar pushimet në Shqipëri, duke zgjedhur vendin e tij për të kontribuar në ekonominë lokale.
“Kam ardhur me familjen për pushime në Shqipëri, që paratë të shkojnë te shteti im, pasi Italia ka plazhe plot. Kam rezervuar për dy javë në Mali i Robit, Kavajë, por çfarë pushimesh janë këto?”, shkruan qytetari.
Ai tregon me pamje se si bregu i detit është plot me leshterikë dhe mbetje në tjera, ndërsa mungojnë ndërhyrjet nga institucionet.
“Çdo vit është e njëjta situatë. Po paguajmë taksa dhe nuk ka asnjë ndërhyrje as nga shteti dhe as nga bashkia. Po na largojnë me zor nga vendi ynë”, përfundon denoncimi i qytetarit.
Denoncimi i qytetarit ngre sërish pikëpyetje mbi mirëmbajtjen e zonave turistike dhe përkujdesjen ndaj plazheve, veçanërisht gjatë sezonit veror kur mijëra pushues zgjedhin bregdetin shqiptar. Ai kërkon ndërhyrje dhe më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që pushuesit vendas dhe emigrantët që rikthehen çdo vit në atdhe të mos përballen me të njëjtat problematika.