Damiano Toshi, një nga emrat më të njohur të bandës së “5 Dyqaneve”, i ka shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm. Gjykata e Elbasanit ka vendosur ta dënojë me 25 vite burg, pas rigjykimit të çështjes që lidhet me vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit të Skënderbeut.
Vendimi u mor pasi gjykata pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, duke zëvendësuar dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm. Rigjykimi u zhvillua me urdhër të Gjykatës së Lartë, e cila kishte prishur vendimin e mëparshëm dhe kishte kthyer dosjen për shqyrtim nga e para.
Damiano Toshi u shpall fajtor për vrasjen e basketbollistëve Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si edhe për plagosjen e Julian Beckës. Ngjarja ndodhi më 3 shtator 2004, pranë Pallatit të Sportit në Korçë dhe konsiderohet një nga krimet që tronditi më shumë opinionin publik në atë periudhë. Pas ngjarjes, Toshi u largua nga Shqipëria dhe u arrestua në Gjermani.
Ai u ekstradua nga Frankfurti në tetor të vitit 2007, për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, pasi ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Korçës. Me vendimin e fundit të Gjykatës së Elbasanit, dënimi i përjetshëm është zëvendësuar me 25 vite burg, çka ndryshon ndjeshëm fatin juridik të një prej të dënuarve për një nga ngjarjet kriminale më të rënda të fillimviteve 2000.
Vendimi pritet të ngjallë debat, për shkak të rëndësisë së çështjes dhe faktit se bëhet fjalë për një krim të dyfishtë që për më shumë se dy dekada ka mbetur një nga dosjet më të njohura në historinë e drejtësisë shqiptare.