Tregu i qirave në Tiranë ka dalë tërësisht jashtë kontrolli, duke u kthyer në një makth të vërtetë për familjet e thjeshta dhe të rinjtë. Ajo që dikur konsiderohej abuzim, sot po kthehet në normalitet, dhe përgjegjësit kryesorë për këtë situatë janë agjentët imobiliarë, të cilët po sillen si spekulantë dhe jo si profesionistë.
Treguesi më i qartë i kësaj çmendurie janë listimet e fundit në një nga zonat që historikisht njihej për çmime më ekonomike: Fresku.
Sa kushton të jetosh në Fresk? Ja shifrat e çmendurisë:
Në një vëzhgim të thjeshtë të listimeve të bëra brenda një dite vetëm për këtë zonë, çmimet arrijnë në nivele absurde që nuk përkojnë me asnjë standard logjik të jetesës:
- Apartament 2+1: 730 €
- Apartament 2+1+2: 600 €
- Apartament 2+1: 500 €
- Apartament 1+1: 500 €
- Apartament 1+1: 450 €
Realiteti në terren: Këto çmime kërkohen për një zonë ku nuk ka parkingje, ku trotuaret e denja janë luks, ku mungojnë krejtësisht këndet e lojërave për fëmijët dhe ku në disa pjesë banorët ende përballen me ndërprerje të ujit të pijshëm.





Efekti “Zinxhir”: Si po infektohen lagjet nga lakmia
Kur një agjent imobiliar pranon të listojë një apartament me një çmim krejtësisht të shkëputur nga realiteti i zonës dhe pa asnjë shërbim komunal të garantuar, ai pushon së qenari ndërmjetës. Ai bëhet pjesë e problemit.
Kjo sjellje po krijon një efekt zinxhir të rrezikshëm:
- Një pronar (i shtyrë nga agjencia) liston një apartament me çmim të fryrë.
- Fqiu ngjit apo në bllokun tjetër e kopjon këtë çmim.
- Brenda pak javësh, e gjithë lagjja pëson një rritje artificiale që nuk ka asnjë lidhje me kushtet që ofron.
Profesionalizëm apo etje për fitim me çdo kusht?
Profesionalizmi në fushën e pasurive të paluajtshme nuk matet me sa lart arrin ta çosh çmimin për të rritur përqindjen e komisionit të radhës. Ai matet me ndershmërinë ndaj klientit dhe me respektin për tregun.
Nëse vazhdohet me këtë logjikë të mbrapshtë, viktimat nuk do të jenë vetëm qiramarrësit që po dëbohen nga qyteti i tyre. Humbës do të jetë i gjithë tregu imobiliar, sepse flluskat e fryra artificialisht nuk sjellin zhvillim afatgjatë, por vetëm spekulim.
Qiratë në Tiranë duhet urgjentisht të pasqyrojnë realitetin e infrastrukturës dhe cilësinë e vërtetë të banimit, dhe jo etjen e pangopur për fitim të shpejtë. Pyetja që shtrohet sot është: Deri kur do të vazhdojë kjo garë absurde përpara se tregu të kolapsojë plotësisht?