Mbetjet vajore të anijeve pushtojnë ujin e kristaltë të Jugut! Asnjë në burg

Mbetjet vajore të anijeve pushtojnë ujin e…

Ndotja e ujërave përgjatë bregdetit të Jonit, nga Gjiri i Gramës, e Shën Andrea deri në Dhërmi, ka ngritur shqetësime të forta për pasojat mjedisore dhe mënyrën se si po trajtohet rasti nga institucionet përgjegjëse. Pamjet e publikuara ditët e fundit tregojnë praninë e mbetjeve vajore në det dhe në vijën bregdetare, ndërsa dyshohet se ndotja është shkaktuar nga shkarkimi i paligjshëm i mbetjeve të anijeve.

Juristi i së drejtës detare, Dorian Mersini, e cilëson ngjarjen si një nga incidentet më serioze mjedisore të viteve të fundit, duke theksuar se problemi më i madh nuk është vetëm ndotja, por mungesa e transparencës dhe reagimit nga autoritetet.

Sipas tij, identifikimi i anijeve që kanë lundruar në zonë nuk duhet të jetë i vështirë, pasi lëvizjet e tyre monitorohen përmes sistemit ndërkombëtar AIS (Automatic Identification System), ndërsa autoritetet shqiptare disponojnë edhe sisteme të tjera mbikëqyrjeje, përfshirë radarët dhe shkëmbimin e të dhënave me partnerët ndërkombëtarë.

Ngrihen një sërë pyetjesh për mënyrën si po zhvillohet hetimi: a është analizuar trafiku detar në momentin e ndotjes, a janë identifikuar anijet që kanë kaluar në zonë, a janë marrë mostra për analiza laboratorike dhe, nëse është gjetur përgjegjësi, a është njoftuar shteti nën flamurin e të cilit lundron anija.

Konventa Ndërkombëtare MARPOL 73/78 detyron shtetet bregdetare të hetojnë çdo rast të dyshuar të ndotjes nga anijet, të mbledhin prova dhe të ndjekin procedurat ligjore ndaj autorëve. Në rast se provohet se ndotja është shkaktuar nga shkarkime të paligjshme, Shqipëria ka detyrimin ta referojë rastin edhe tek autoritetet e shtetit të flamurit të anijes dhe organizmat ndërkombëtarë kompetentë.

Mungesa e një reagimi publik nga institucionet krijon perceptimin se incidente të tilla mund të kalojnë pa pasoja, duke dëmtuar jo vetëm ekosistemin detar, por edhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Është kontradiktore që investohen miliona euro në promovimin e Rivierës Shqiptare dhe zhvillimin e marinave turistike, ndërsa raste të tilla ndotjeje rrezikojnë të dëmtojnë rëndë këtë imazh.

Apelohet për hetim të menjëhershëm dhe ndëshkimin e përgjegjësve, duke paralajmëruar se çdo vonesë e bën më të vështirë identifikimin e autorëve dhe rrit rrezikun që ndotje të ngjashme të përsëriten në të ardhmen. Ai thekson se mbrojtja e mjedisit detar është një detyrim ligjor dhe ndërkombëtar, ndërsa heshtja institucionale, sipas tij, nuk mund të justifikohet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit