Një tender me vlerë 2 miliardë lekë i zhvilluar nga kryebashkiaku në SPAK Rakip Suli i Kamzës për asfaltimin e 48 rrugicave në Fushë Kamëz, ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe favorizimin e kompanisë fituese. Projekti ishte premtuar para zgjedhjeve dhe parashikon asfaltimin e 48 rrugicave, por vetëm 4 prej tyre do të pajisen me trotuare, ndërsa 44 të tjerat do të mbeten pa hapësira të dedikuara për këmbësorët.
Fituese u shpall kompania “UDHA” sh.p.k., me ofertë 1.3 miliardë lekë pa TVSH. Kjo ka ngritur dyshime mbi cilësinë e punimeve që do të realizohen, duke rikthyer debatet për asfaltimet që në të kaluarën janë dëmtuar pas një periudhe të shkurtër përdorimi.
Kjo procedurë është klasifikuar me “Flamur të Kuq”, një indikator që sinjalizon risk për mungesë konkurrence ose elementë të mundshëm të korrupsionit.
Në garë morën pjesë disa operatorë ekonomikë, por komisioni i vlerësimit skualifikoi të gjithë konkurruesit, duke lënë në fund vetëm kompaninë “UDHA” sh.p.k.. Sipas procesverbalit, skualifikimet u argumentuan kryesisht me mungesë të sigurimit të ofertës ose mangësi në dokumentacion. Megjithatë, në procedurë kishte edhe oferta më të ulëta.
Kompania “UDHA” sh.p.k., në pronësi të Arben Çelës, rezulton të ketë fituar 107 tendera publikë, me një vlerë totale prej rreth 30 miliardë lekësh, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë shënuar me “Flamur të Kuq” nga Open Data Albania.
Arben Çela, i njohur më herët edhe si drejtues i kompanisë “Vllaznia Ndërtim I.S.”, është përmendur ndër vite si figurë pranë Partisë Demokratike në Dibër, ndërsa më pas u pa në aktivitetet publike të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, periudhë gjatë së cilës kompania e tij nisi të sigurojë një numër të madh kontratash publike. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë Klos në vitin 2023 janë konstatuar pagesa për punime të pakryera në një kontratë ku përfshihej edhe “UDHA” sh.p.k., lidhur me ndërtimin e Muzeut Historik-Kulturor të Klosit.