Federata Argjentinase e Futbollit nën hetim nga FBI për pastrim parash

Federata Argjentinase e Futbollit nën hetim nga…

Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) raportohet se është vënë nën vëzhgimin e Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI), pas dyshimeve për pastrim parash dhe lëvizje të dyshimta financiare përmes sistemit bankar amerikan.

Sipas gazetës argjentinase La Nación, hetimi po fokusohet te mënyra se si AFA, e drejtuar nga presidenti Claudio Tapia, ka transferuar fonde nëpërmjet institucioneve financiare në Shtetet e Bashkuara, si dhe nëse në këto transaksione ka pasur elementë të aktivitetit kriminal.

Raporti vjen në një periudhë kur futbolli argjentinas është vënë në qendër të vëmendjes edhe pas fitores së debatueshme 3-2 ndaj Egjiptit në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, ndeshje që u shoqërua me polemika për disa vendime të arbitrave.

Sipas La Nación, në hetim është përfshirë edhe kompania amerikane TourProdEnter LLC, me bazë në Florida, e cila thuhet se administron operacionet financiare ndërkombëtare të Federatës Argjentinase.

Gazeta pretendon se dokumentet që ka shqyrtuar tregojnë se kompania ka administruar rreth 260 milionë dollarë të ardhura të AFA-së përmes llogarive në pesë banka amerikane: Citibank, Synovus, Bank of America, JPMorgan Chase dhe PNC Bank.

Gjithashtu, raporti pretendon se rreth 57 milionë dollarë janë transferuar drejt kompanive dhe përfituesve të ndryshëm pa një justifikim të dukshëm ekonomik.

Sipas të njëjtit burim, dhjetëra milionë dollarë janë dërguar te kompani që nuk rezultojnë të kenë ofruar shërbime konkrete dhe që kontrolloheshin nga persona të cilët, sipas dokumenteve të cituara nga gazeta, përfitonin ndihmë sociale dhe banonin në Bariloche ose Buenos Aires.

Deri më tani, FBI nuk ka bërë asnjë koment publik mbi raportimet dhe nuk janë ngritur akuza zyrtare për pastrim parash ndaj Federatës Argjentinase apo drejtuesve të saj.

Presidenti i AFA-së, Claudio Tapia, është përballur edhe më herët me probleme ligjore. Në muajin mars ai u akuzua për evazion fiskal dhe prej kohësh është në konflikt me presidentin e Argjentinës, Javier Milei, lidhur me modelin e pronësisë së klubeve të futbollit në vend.

As Federata Argjentinase e Futbollit dhe as TourProdEnter LLC nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre raportimeve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit