Francë-Marok "blindon" Parisin, masa të jashtëzakonshme sigurie para çerekfinales

Francë-Marok “blindon” Parisin, masa të jashtëzakonshme sigurie…

Parisi është vënë në gatishmëri të lartë përpara çerekfinales së Kupës së Botës mes Francës dhe Marokut, një ndeshje që autoritetet franceze e konsiderojnë me rrezik të lartë për rendin publik.

Sipas Le Parisien, Prefektura e Policisë ka hartuar një plan të posaçëm sigurie, i cili parashikon përdorimin e dronëve për monitorimin e zonave më të ndjeshme të kryeqytetit. Masat e jashtëzakonshme do të hyjnë në fuqi nga ora 21:00, një orë përpara nisjes së takimit.

Në kuadër të këtij plani është ndaluar përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike, ndërsa Champs-Élysées, ku në të kaluarën janë regjistruar incidente dhe akte vandalizmi pas ndeshjeve të mëdha, do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë policore. Për të shmangur dëmtimet apo plaçkitjet, disa biznese kanë vendosur barriera mbrojtëse përpara vitrinave të tyre.

Për të kufizuar grumbullimet e tifozëve, autoritetet do të mbyllin edhe disa stacione metroje në zonën e Champs-Élysées, si dhe ndalesa të linjave 6, 8, 9, 12 dhe 14.

Vendosja e këtyre masave lidhet me ngjarjet e së kaluarës. Pas gjysmëfinales së Kupës së Botës 2022 mes Francës dhe Marokut në Katar, festimet u shoqëruan me trazira në disa qytete franceze. Atëherë u arrestuan mbi 260 persona në mbarë Francën, ndërsa vetëm në Paris u kryen 167 arrestime.

Në rajonin metropolitian të Parisit jetojnë rreth 300 mijë banorë me origjinë marokene, ndërsa në të gjithë Francën ky komunitet llogaritet në rreth 2.2 milionë persona. Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur një prani të shtuar policore dhe masa të forta sigurie, me synimin për të parandaluar incidente dhe për të garantuar mbarëvajtjen e mbrëmjes sportive.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit