Në kulmin e protestave të qytetarëve kundër qeverisë Rama, Policia e Shtetit ka zgjedhur të hapë një front të ri: hetimin e komenteve negative online ndaj bizneseve që protestuesit i akuzojnë si të lidhura me njerëz pranë pushtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, deklaroi se po verifikohen mijëra llogari që dyshohet se kanë zhvilluar një fushatë kundër hoteleve, restoranteve dhe resorteve, duke e cilësuar si një cenim të reputacionit të bizneseve dhe turizmit.
Ky reagim i policisë shihet si një mbrojtje e drejtpërdrejtë për bizneset e afërta me qeverinë Rama, në një kohë kur qytetarët po përdorin edhe mjetet online për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj subjekteve që, sipas tyre, nuk kanë mbështetur kauzën e protestës. Në vend që të përballet me shqetësimet e qytetarëve, policia po akuzohet se po vendos në qendër të vëmendjes mbrojtjen e interesave të bizneseve të lidhura me pushtetin.
Deklaratat e Hitës kanë hapur një debat të fortë mbi përdorimin e institucioneve shtetërore. Ndërsa manipulimi i organizuar dhe sulmet e qëllimshme ndaj bizneseve mund të jenë objekt verifikimi, kritikët kërkojnë të dinë pse Policia e Shtetit po tregohet kaq aktive për “reputacionin online” të disa bizneseve, ndërsa protestat dhe pakënaqësitë e qytetarëve vijojnë prej 40 ditësh.