Sulm me raketa balistike në Jordani, Irani godet bazën ushtarake që përdoret nga SHBA

Sulm me raketa balistike në Jordani, Irani…

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish, pasi Irani ka ndërmarrë një sulm me raketa balistike ndaj bazës ushtarake Azraq në Jordani, e cila përdoret nga forcat amerikane dhe aleatët e tyre në rajon.

Sipas një deklarate të Gardës Revolucionare Iraniane, të publikuar nga mediat shtetërore iraniane, ndaj bazës janë lëshuar 10 raketa balistike. Nga ana tjetër, autoritetet jordaneze njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore arritën të interceptonin tetë raketa që hynë në hapësirën ajrore të vendit, ndërsa nuk raportohet për viktima apo dëme materiale.

Sulmi vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit ndodhen në një nga pikat më të tensionuara të viteve të fundit. Sipas raportimeve ndërkombëtare, Irani ka ndërmarrë sulme edhe ndaj objektivave të tjera ushtarake të lidhura me SHBA-në në rajon, ndërsa administrata amerikane ka zhvilluar goditje të reja ndaj objektivave iraniane gjatë ditëve të fundit.

Në deklaratën e saj, Garda Revolucionare paralajmëroi se çdo “agresion i ri amerikan” do të sjellë sulme të tjera ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon, duke rritur frikën për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit.

Jordania, e cila prej muajsh ndodhet në mes të tensioneve rajonale për shkak të pozicionit të saj strategjik, ka deklaruar se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e sovranitetit të saj dhe të sigurisë së qytetarëve. Autoritetet theksuan se ndërhyrja e sistemeve të mbrojtjes ajrore shmangu pasoja më të rënda.

Zhvillimet e fundit po ushqejnë frikën se armëpushimi i brishtë mes palëve mund të shembet plotësisht, duke rrezikuar përfshirjen e mëtejshme të vendeve të rajonit në konflikt. Ndërkohë, thirrjet ndërkombëtare për vetëpërmbajtje dhe rikthim në dialog diplomatik po shtohen, teksa situata mbetet tepër e paqëndrueshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit