Goditet rrjeti ndërkombëtar i kontrabandës së duhanit, sekuestrohen 20 milionë cigare dhe arrestohen 50 persona

Goditet rrjeti ndërkombëtar i kontrabandës së duhanit,…

Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër kontrabandës së duhanit ka çuar në goditjen e dy rrjeteve kriminale me bazë në Spanjë, të cilat dyshohet se merreshin me prodhimin, shpërndarjen dhe trafikimin e produkteve të falsifikuara të duhanit në disa vende të Europës.

Sipas Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), gjatë operacionit u sekuestruan 20 milionë cigare, 38.4 ton gjethe dhe duhan i prerë, si dhe pajisje të përdorura për prodhimin e paligjshëm të produkteve të duhanit. Vlera e mallrave të sekuestruara llogaritet në rreth 10 milionë euro.

Operacioni u zhvillua muajin e kaluar, kur autoritetet kryen 23 kontrolle në banesa, ambiente biznesi dhe magazina industriale në disa provinca të Spanjës.

Përveç produkteve të duhanit, autoritetet sekuestruan edhe 18 automjete, 170 mijë euro para në dorë, pajisje elektronike të koduara dhe disa armë zjarri.

Si rezultat i aksionit, 50 persona u arrestuan, ndërsa dy prej të dyshuarve iu dorëzuan autoriteteve polake në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në operacion morën pjesë Guardia Civil e Spanjës, Byroja Qendrore e Hetimeve e Polonisë, Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë, Byroja e Policisë Kriminale e Lituanisë, si dhe OLAF dhe Europol.

Drejtori i OLAF-it, Petr Klement, deklaroi se produktet e falsifikuara të duhanit përbëjnë një rrezik edhe më të madh për shëndetin e konsumatorëve sesa produktet e ligjshme, ndërsa theksoi se kontrabanda e cigareve dëmton të ardhurat publike dhe shërben si burim financimi për grupet e krimit të organizuar.

Autoritetet europiane kanë bërë të ditur se hetimet për këtë rrjet kriminal vijojnë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera në ditët në vijim.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit