Një 80-vjeçar në Salento të Italisë është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg për dhunë në familje dhe plagosje ndaj bashkëshortes shqiptare dhe dy fëmijëve të saj. Sipas mediave italiane, gjykata vendosi gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet, si dhe një dëmshpërblim paraprak prej 25 mijë eurosh për gruan dhe djalin e mitur, ndërsa 10 mijë euro për vajzën madhore.
Sipas akuzës, nga viti 2017 deri në maj 2021, i moshuari e kishte nënshtruar familjen ndaj dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikologjike. Ai kontrollonte lëvizjet e tyre, nuk i lejonte të dilnin nga shtëpia apo të ndiqnin rregullisht shkollën dhe i detyronte të punonin që në orët e para të mëngjesit. Ndër episodet më të rënda, 80-vjeçari kishte përplasur pas kaloriferit djalin 6-vjeçar, duke i shkaktuar plagë në kokë, ndërsa bashkëshorten kishte tentuar ta mbyste dhe e kërcënonte vazhdimisht me vdekje.
Hetimet nisën pas vizitave të përsëritura të gruas shqiptare dhe vajzës së saj në urgjencën e spitalit të Tricases, ku u konstatuan shenja dhune. Prokuroria arriti në përfundimin se premtimi për një jetë më të mirë në Itali ishte shndërruar në vite keqtrajtimi dhe terrori për gruan dhe dy fëmijët e saj.