"Po na dridhin themelet e pallatit me muzikën e lartë"

“Po na dridhin themelet e pallatit me…

Një qytetar nga zona e Don Boskos në Tiranë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem që, sipas tij, është kthyer në makth për banorët e lagjes, ndotjen akustike dhe prishjen e qetësisë publike gjatë orëve të natës.

Sipas denoncuesit, në një banesë private mes pallateve dëgjohet muzikë me volum tepër të lartë, aq sa, siç shprehet ai me ironi, “na dridhin themelet e pallatit”. Fenomeni, sipas tij, nuk është i izoluar, por përsëritet vazhdimisht, sidomos gjatë muajve të verës.

Qytetari ka dërguar edhe video në redaksinë tonë, ku dëgjohet qartë muzika që vjen nga banesa private, ndërsa tregon se ka njoftuar Policinë e Shtetit. Megjithatë, sipas tij, problemi nuk ka marrë zgjidhje.

“Vjen policia, sa ikën e hapin prapë muzikën,” shprehet ai.

Në bisedën me JOQ Albania, denoncuesi sqaron se nuk bëhet fjalë për një dasmë apo aktivitet të rastësishëm, por për muzikë të lartë që vendoset “për qejf”, pothuajse çdo ditë. Ai shton se burimi i zhurmës është një shtëpi private me oborr, e ndodhur mes pallateve të banuara.

Ndotja akustike mbetet një nga shqetësimet më të shpeshta gjatë sezonit veror, sidomos në zonat e dendura urbane, ku muzika me volum të lartë në orët e vona cenon qetësinë e banorëve. Të moshuarit, të sëmurët, familjet me fëmijë të vegjël dhe qytetarët që kanë nevojë për pushim janë ndër më të prekurit nga kjo problematikë.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që rastet e tilla të mos trajtohen vetëm përkohësisht, por të merren masa që qetësia publike të respektohet dhe situata të mos përsëritet çdo mbrëmje.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit