BE akuzon Meta-n: Instagrami dhe Facebook-u nxisin varësinë

BE akuzon Meta-n: Instagrami dhe Facebook-u nxisin…

Bashkimi Evropian ka akuzuar kompaninë Meta, pronaren e Instagramit dhe Facebook-ut, se i ka projektuar të dyja platformat në mënyrë që të krijojnë varësi tek përdoruesit. Komisioni Evropian paralajmëroi se kompania mund të përballet me gjoba të konsiderueshme nëse vazhdon të shkelë rregullat e BE-së për shërbimet digjitale.

Të premten, Komisioni Evropian publikoi gjetjet paraprake të një hetimi dyvjeçar, duke vlerësuar se Meta ka shkelur Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA). Institucioni i bëri thirrje kompanisë të ndryshojë disa elemente të dizajnit të platformave për të kufizuar përdorimin kompulsiv.

Sipas Komisionit, Meta nuk ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme rreziqet që Instagrami dhe Facebook-u paraqesin për shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve, veçanërisht të të rinjve.

BE thekson se funksione si luajtja automatike e videove (autoplay), rekomandimet e personalizuara dhe lëvizja e pafundme e përmbajtjes (infinite scrolling) nxisin përdoruesit të kalojnë në një gjendje “piloti automatik”, duke krijuar zakone të pashëndetshme dhe përdorim të tepruar të rrjeteve sociale.

Komisioni Evropian kërkon që Meta të çaktivizojë si parazgjedhje funksionet e lëvizjes së pafundme dhe të luajtjes automatike të videove në Instagram dhe Facebook, si edhe të reduktojë nivelin e personalizimit të përmbajtjes që shfaqet për përdoruesit.

Nga ana tjetër, Meta i kundërshtoi gjetjet paraprake të Komisionit Evropian, duke deklaruar se ka ndërmarrë tashmë masa të rëndësishme për mbrojtjen e të rinjve.

“Nuk pajtohemi me këto gjetje paraprake, të cilat nuk pasqyrojnë në mënyrë të saktë hapat e rëndësishëm që kemi ndërmarrë për mbrojtjen e adoleshentëve”, tha zëdhënësi i Meta-s, Ben Walters.

Meta ka të drejtë të paraqesë kundërshtimet e saj përpara vendimit përfundimtar të Komisionit Evropian, që pritet të merret brenda muajve të ardhshëm. Nëse konstatohet shkelja, kompania mund të gjobitet deri në 6% të xhiros së saj vjetore globale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit