Një incident i rëndë është regjistruar në qytetin Rize të Turqisë, ku shembja e një pjese të rrugës detyroi autoritetet të evakuonin dy ndërtesa si masë parandaluese.
Ngjarja ndodhi në lagjen İslampaşa, në rrugën “Şehitler Çeşmesi”. Sipas mediave turke, rruga, poshtë së cilës po kryheshin punime ndërtimi, u shemb për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.
Si pasojë, një pjesë e madhe e rrugës u bë e pakalueshme, ndërsa dy ndërtesat e ndodhura mbi zonën e shembjes u zbrazën për të shmangur çdo rrezik për banorët.
Pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e institucioneve përkatëse, të cilat vendosën perimetër sigurie dhe bllokuan qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në zonë.
Autoritetet kanë nisur një hetim teknik për të përcaktuar shkaqet e shembjes dhe për të vlerësuar nëse ekziston rreziku i shembjeve të tjera.