Gjendet një armë e dytë pranë vendit ku u vra Ilir Gjini në Laç

Gjendet një armë e dytë pranë vendit…

Një armë e dytë zjarri është gjetur nga policia pranë vendit ku mbrëmjen e 9 korrikut u vra Ilir Gjini, në lagjen “Erdogan” të qytetit të Laçit. Arma është zbuluar gjatë një kontrolli të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor, i cili është orientuar edhe nga deklarimet e personave të shoqëruar në polici pas ngjarjes. Mjeti i sekuestruar është një revolver, i cili është dërguar për ekspertizë balistike.

Ekspertiza do të përcaktojë nëse revolveri është përdorur gjatë konfliktit ku mbeti i vrarë Gjini, kujt i përket dhe nëse ka pasur shkëmbim zjarri mes personave të përfshirë. Hetuesit dyshojnë se në vendin e ngjarjes mund të kenë qenë edhe persona të tjerë, përveç viktimës dhe autorit të dyshuar, të cilët mund të kenë pasur rol në konflikt ose të kenë qenë dëshmitarë të tij.

Për vrasjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Policia po kryen verifikime të mëtejshme për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit që përfundoi me vrasjen e 9 korrikut në Laç.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit