Gjenocidi i Srebrenicës, masakra ku ushtarët serbë vranë burra dhe djem myslimanë

Gjenocidi i Srebrenicës, masakra ku ushtarët serbë…

Sot përkujtohet 31-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës, një nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në Qendrën Memoriale të Potoçarit do t’u jepet lamtumira e fundit edhe dhjetë viktimave të identifikuara së fundmi, duke rikthyer dhimbjen e familjeve që prej më shumë se tri dekadash kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre. Viktima më e re që do të prehet sot është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975, ndërsa më i moshuari është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939. Në ceremoni marrin pjesë mijëra qytetarë, familjarë të viktimave, delegacione ndërkombëtare dhe pjesëmarrës të Marshit të Paqes, që ndjek çdo vit rrugën e përshkuar nga ata që u përpoqën t’i shpëtonin masakrës.

Më 11 korrik 1995, mbi 8.300 burra dhe djem boshnjakë myslimanë u vranë pasi forcat serbe të Bosnjës pushtuan Srebrenicën, e cila në atë kohë ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Edhe sot, 31 vite më vonë, plagët mbeten të hapura. Në Potoçari janë varrosur deri tani 6.772 viktima, ndërsa mbi 1.000 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur, duke lënë qindra familje ende në pritje të së vërtetës dhe të një vendi ku të vendosin një lule.

Gjenocidi i Srebrenicës është njohur zyrtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila në vitin 2007 vendosi se forcat e Republikës Sërpska kryen gjenocid dhe se Serbia dështoi ta parandalonte atë dhe të ndëshkonte autorët. Deri më sot, mbi 50 persona janë dënuar për gjenocid dhe krime lufte, ndërsa ish-udhëheqësit Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm. Përkujtimi i kësaj dite mbetet një thirrje që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit