Një 40-vjeçar, Aleksandër Koçeku, u ekzekutua mbrëmjen e sotme me armë zjarri në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Sipas dyshimeve të para të hetuesve, ngjarja mund të ketë lidhje me një konflikt të hershëm dhe një vrasje të ndodhur rreth 9 vite më parë, duke ngritur dyshimet për motiv hakmarrjeje.
Në vitin 2017, vëllai i viktimës, Artan Koçeku, ekzekutoi me 10 plumba Angjelin Shkambin. Sipas hetimeve të asaj kohe, shkak i konfliktit dyshohej të ishte një borxh prej 40 mijë eurosh, ndërsa në dosje përmendej edhe një marrëdhënie intime e Shkambit me motrën e vëllezërve Koçeku, ndërkohë që ai ishte i fejuar me një person tjetër.
Hetimet e atëhershme zbuluan se Artan Koçeku kishte marrë leje nga burgu i Peqinit për të kryer takimin me Shkambin, të cilin e kishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale. Sipas dosjes hetimore, Shkambi dyshohej se merrej me kultivim dhe shpërndarje të farave të hashashit, si edhe jepte para me interes. Hetimet për vrasjen e Aleksandër Koçekut vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.