Qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj që i hap rrugë transferimit në Shqipëri të kriptomonedhave të sekuestruara nga grupet kriminale shqiptare, të cilat aktualisht administrohen në Belgjikë. Bëhet fjalë për një fond që tejkalon vlerën e 30 MILIONË €.
Shqipëria deri më tani nuk ka pasur një bazë ligjore që t’i administrojë kriptovalutat e sekuestruara gjatë hetimeve penale. Për këtë arsye, asetet e sekuestruara nga SPAK janë mbajtur në një portofol të posaçëm në Belgjikë.
Projektligji i ri parashikon që këto kriptomonedha të transferohen në vend dhe të administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).
Në draftin e miratuar nga qeveria thuhet:
“AAPSK-ja administron monedha virtuale të sekuestruara/konfiskuara nga organet e drejtësisë, sipas vendimit të gjykatës apo urdhrit të prokurorit. Rregullat dhe procedurat e administrimit të monedhave virtuale përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.”
Deri tani, SPAK ka bërë publik sekuestrimin e rreth 10 milionë eurove në kriptomonedha, të lidhura me grupin e njohur si “Çopjat”. Megjithatë, në Belgjikë ndodhen edhe të paktën 20 MILIONË € të tjera në kriptomonedha të sekuestruara nga grupe të tjera kriminale, për të cilat hetimet nuk kanë përfunduar ende.
Ndërkohë, AAPSK ka zhvilluar trajnime për stafin e saj mbi administrimin e kriptomonedhave dhe menaxhimin e portofoleve elektronike. Trajnimet janë realizuar me mbështetjen e Agjencisë Franceze të Pasurive të Sekuestruara, e cila pritet të vijojë asistencën edhe në fazën e administrimit të këtyre aseteve digjitale.