Në Gjykatën e Fierit po zhvillohet këtë të diel seanca për caktimin e masave të sigurisë ndaj tre të miturave të dyshuara për dhunimin e 17-vjeçares, të akuzuara për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Prokuroria ka kërkuar masën “Arrest me burg” për një prej të dyshuarave, “Arrest në shtëpi” për një tjetër dhe “Shtrim të përkohshëm në një institucion psikiatrik” për 15-vjeçaren M.R.
Nëna e 15-vjeçares deklaroi se familja e saj nuk ka pasur asnjë njohje me familjen e 17-vjeçares së dhunuar dhe se nuk njihte as dy vajzat e tjera me të cilat shoqërohej e bija. Ajo tha se vajza kishte probleme prej kohësh, mungonte shpesh në shtëpi ose vinte në mesnatë, kishte vështirësi në shkollë dhe madje kishte denoncuar edhe të atin për dhunë. Sipas saj, familja kishte kërkuar disa herë ndihmë pranë institucioneve, por nuk kishte marrë mbështetjen e nevojshme.
“Nuk dimë asgjë për gjendjen e vajzës, ndaj jam shqetësuar shumë sepse nuk kam asnjë informacion për analiza apo të tilla. E kam takuar 2 herë vajzën në spital. Vajza nuk kishte rroba të reja apo telefon, vetëm ato që i blinim ne. Kur vinte në shtëpi në orët e para të mëngjesit nuk më tregonte ku ishte, më thoshte isha me shoqe. Shoqet e vajzës nuk i njihja as prindërit e tyre. I njoha në polici. Me prindërit e vajzës së rrahur nuk kam pasur fare kontakt. Ne kemi 1 vit që kemi shkuar në polici disa herë. Në shkollë vajza nisi të ketë shqetësime. Drejtoria e shkollës na nxorri jashtë ne si prindër dhe vajzën, na tha zhdukeni jashtë. Psikologia qeshte me ne. Vajzën e çuam në një shkollë tjetër por ajo nuk pranonte. Vajza e ka denoncuar edhe babanë për dhunë. Unë kërkoj kurim të plotë për vajzën si dhe dua informacione për gjendjen e saj”, u shpreh ajo.