Rakip Suli i jep 2 miliardë lekë Arben Çelës për 48 rrugica, tenderi merr "Flamur të Kuq"

Rakip Suli i jep 2 miliardë lekë…

Në Kamëz, asfalti nuk vjen kurrë vetëm. Bashkë me të mbërrijnë edhe tenderët me miliona. Më 9 qershor 2026, Bashkia Kamëz firmosi kontratën për ndërtimin e 48 rrugicave në Fushë Kamëz, një projekt me fond limit 199.1 milionë lekë të reja, ose rreth 2 miliardë lekë të vjetra, i financuar nga buxheti i bashkisë.

Fitues i tenderit rezulton biznesmeni Arben Çela, ish-kandidat i Partisë Demokratike nga Burreli. Projekti mban emrin “Ndërtim Rruge Blloku 2 Fushë Kamëz (Nga Rruga Kosova – Argjinatura)” dhe parashikon asfaltimin e 48 rrugicave, ndërsa vetëm 4 prej tyre do të kenë trotuare.

Procedura ngre pikëpyetje edhe për shkak të diferencës mes fondit limit dhe ofertës fituese, e cila sipas dokumenteve arrin në rreth 30.5%. Një shifër që e bën këtë tender tërheqës jo vetëm për asfaltin që do të hidhet, por edhe për mënyrën se si është zhvilluar gara.

Në listën e projektit bien në sy edhe emrat e rrugicave që do të përfitojnë trotuare. “MonteKarlo”, “Bashkëjetesa”, “Miqësia” dhe “Mozart” janë katër të vetmet që janë parashikuar të pajisen me hapësirë për këmbësorët. Për 44 rrugicat e tjera, projekti nuk parashikon fare trotuare, me argumentin se janë projektuar shumë të ngushta. Me pak fjalë, këmbësorët do të duhet të vazhdojnë të ndajnë të njëjtën rrugë me makinat, ndërsa trotuari mbetet një luks që u takon vetëm katër emrave në listë.

Projekti mban firmën e vetë kryebashkiakut Rakip Suli, i cili nuk i kursen daljet në terren sa herë që ndizet fadroma apo hidhet metër i parë asfalt. Kamerat janë gjithmonë aty për foton e radhës, ndërsa prova e vërtetë nis pasi mbyllen fushatat dhe fiket vëmendja. Aty mbetet për t’u parë nëse rrugët do t’i rezistojnë kohës apo do të mbeten vetëm kujtim në albumin e inaugurimeve.

Kronologjia e tenderit ka ecur me ritëm të shpejtë. Njoftimi u publikua më 7 prill 2026, ndërsa vetëm dy javë më pas u zhvillua procedura e prokurimit. Më 21 maj 2026, fitues u shpall operatori ekonomik UDHA sh.p.k., me një ofertë prej 138.3 milionë lekësh të reja, pa TVSH. Mënyra se si u zhvillua kjo procedurë ka ngritur pikëpyetje, të cilat bëhen edhe më interesante kur shihen dokumentet dhe shifrat e garës.

Pikëpyetjet nuk mbarojnë te shifrat. Open Data Albania e ka filtruar këtë procedurë me “Flamur të Kuq”, një sinjalizim që përdoret për tenderët me risk korrupsioni. Dhe dokumentet tregojnë pse ky prokurim ka tërhequr vëmendjen. Komisioni i ngritur nga Bashkia Kamëz skualifikoi pesë operatorë ekonomikë, duke lënë në garë vetëm “UDHA” sh.p.k., në pronësi të Arben Çelës. Arsyeja zyrtare ishte mungesa e sigurimit të ofertës ose parregullsi në dokumentacion, por ajo që bie në sy është se bashkë me konkurrentët dolën jashtë loje edhe ofertat më ekonomike. Në fund, gara përfundoi aty ku kishte mbetur vetëm një kandidat për të kaluar vijën e finishit.

Ajo që e bën edhe më interesante këtë garë është diferenca mes ofertave. Bashkimi i operatorëve “KLAJGER KONSTRUKSION” dhe “VËLLEZËRIT HYSA” kishte ofertuar ta realizonte projektin për 134.7 milionë lekë, pa TVSH. Në të njëjtin nivel ishte edhe bashkimi “COMPANY RIVIERA 2008” me “INA”, me një ofertë prej 135.9 milionë lekësh, pa TVSH. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk arriti deri në vijën e finishit.

Ndërkohë, fituesi “UDHA” sh.p.k. nuk është një emër i panjohur në botën e tenderëve publikë. Sipas të dhënave, kompania numëron 107 tendera të fituar, me një vlerë totale prej rreth 30 miliardë lekësh, ndërsa një pjesë e madhe e tyre rezultojnë të jenë shënuar me “Flamur të Kuq” nga Open Data Albania, për shkak të indikatorëve të riskut në procedurat e prokurimit.

Pas kompanisë fituese qëndron Arben Çela, pronar i “UDHA” sh.p.k., e njohur më parë si “Vllaznia Ndërtim I. S.”. Emri i tij nuk është i panjohur në politikë. Në të kaluarën është lakuar si kandidat i Partisë Demokratike në Dibër dhe konsiderohej një biznesmen i afërt me pushtetin e asaj kohe.

Por, siç ka ndodhur shpesh me një pjesë të botës së tenderëve në Shqipëri, ndryshimi i pushtetit nuk ka sjellë domosdoshmërisht ndryshim kursi. Me ardhjen e qeverisë Rama, Arben Çela rezulton të ketë vijuar të fitojë tendera publikë, duke u bërë pjesë e listës së biznesmenëve që, pavarësisht ngjyrës politike të qeverive, arrijnë të mbeten gjithmonë pranë zyrave ku firmosen kontratat më të majme.

Me kalimin e viteve, Arben Çela nisi të shfaqej edhe në aktivitetet e kryeministrit *Edi Rama* për “bashkëqeverisjen”. Në një prej tyre mori edhe mikrofonin për të rrëfyer përvojën e tij, duke treguar se si i ishte zgjidhur një problem që lidhej me pagesat e disa punimeve të financuara përmes tenderëve në *Bashkinë Klos*. Një episod që tregon se nga bota e tenderëve deri te mikrofoni i “bashkëqeverisjes”, rruga duket se nuk ka qenë edhe aq e gjatë.

Në shtator 2019, Arben Çela u shfaq sërish në Kryeministri, edhe këtë herë me mikrofon në dorë. Pas asaj periudhe, kompania “UDHA” sh.p.k. rezulton të ketë siguruar një sërë kontratash publike me vlera të konsiderueshme nga institucione të drejtuara nga zyrtarë të mazhorancës.

Por, nëse tenderët kanë një histori, edhe auditimet kanë të tyren. Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për Bashkinë Klos, të publikuar në vitin 2023, evidentohen gjetje që lidhen me kontrata të përfituara nga “UDHA” sh.p.k.. Sipas raportit të KLSH-së, kompania është paguar edhe për punime të konstatuara si të papërfunduara, një konstatim që hedh dritë mbi mënyrën se si janë zbatuar disa nga kontratat publike të saj.

Historia e “UDHA” sh.p.k. nuk mbaron te tenderi i Kamzës. Në një raport të KLSH-së për Bashkinë Klos, audituesit konstatojnë se kompania është paguar edhe për punime që, sipas dokumentit, nuk ishin realizuar sipas kontratës për ndërtimin e Muzeut Historik-Kulturor të Klosit.

Edhe tenderi i firmosur nga Rakip Suli për 48 rrugicat në Fushë Kamëz vjen në një moment që ka ngritur diskutime politike. Kontrata u firmos në prag të një tjetër cikli zgjedhor vendor, ndërsa opozita e ka cilësuar këtë investim si vazhdim të fenomenit të ashtuquajtur “asfalt elektoral”. Në kallëzimin e dorëzuar në SPAK gjatë vitit 2025, pretendohet se në disa zona të Kamzës janë kryer asfaltime me synim ndikimin te zgjedhësit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Emri i Rakip Sulit nuk është i panjohur për Prokurorinë e Posaçme. Kryebashkiaku i Kamzës është paraqitur dy herë në SPAK në nëntor 2023, ndërsa ndaj tij janë depozituar disa kallëzime, si nga banorë ashtu edhe nga këshilltarë të Bashkisë Kamëz, të mbështetura edhe në gjetje të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Burime bëjnë me dije se SPAK ka regjistruar procedim penal dhe po zhvillon hetime që lidhen me disa procedura të Bashkisë Kamëz, mes tyre tenderët e pastrimit të qytetit dhe dëmshpërblimet pas tërmetit. Në kuadër të këtij procesi janë marrë në pyetje zyrtarë të bashkisë dhe janë sekuestruar dokumente. Kallëzimi më i fundit ndaj Rakip Sulit është depozituar në prill 2025, për veprën penale të pretenduar të “shpërdorimit të detyrës”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit