Sherri te Syri i Kaltër, arrestohet 43-vjeçari që dhunoi administratorin e një subjekti

Sherri te Syri i Kaltër, arrestohet 43-vjeçari…

Policia e Sarandës ka vënë në pranga 43-vjeçarin e dyshuar si autori kryesor i dhunës së ushtruar ndaj administratorit të një subjekti që jep me qira biçikleta elektrike në zonën turistike të Syrit të Kaltër. Për konfliktin janë proceduar penalisht edhe tre persona të tjerë.

Ngjarja ndodhi rreth mesditës së sotme, në parkimin e kompleksit turistik, pas një debati për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete të marrë me qira për lëvizje brenda parkut.

Sipas hetimeve paraprake, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, ka goditur me sende të forta administratorin e subjektit, A. L., 27 vjeç. Si pasojë e dhunës, i riu ka pësuar fraktura, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe vëllai i të arrestuarit, A. H., 45 vjeç, si dhe shtetasi S. Ç., 20 vjeç.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia arrestoi në flagrancë 43-vjeçarin për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ndërkohë, vëllai i tij 45-vjeçar, shtetasi S. Ç., si edhe administratori i subjektit, A. L., janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Më herët, JOQ Albania publikoi pamjet e konfliktit, ku shihej momenti i përplasjes fizike në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të vendit. Sipas informacioneve të bëra publike, administratori i biznesit tentoi të mbrohej, por pësoi dëmtime të rënda në duar dhe në pjesë të tjera të trupit.

Policia e Sarandës vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit dhe përgjegjësinë e secilit prej të përfshirëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit