Kanceri vijon të mbetet një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin global, duke shkaktuar mbi 26 mijë vdekje çdo ditë dhe rreth 10 milionë viktima në vit, sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Çdo vit regjistrohen rreth 20.6 milionë raste të reja, ndërsa, nëse nuk ndërmerren masa më të forta parandaluese, numri i rasteve pritet të rritet në afro 35 milionë deri në vitin 2050.
Raporti i OBSH-së dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) evidenton se pabarazitë në aksesin ndaj diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit mbeten të thella. Në vendet me të ardhura të larta, 87% e grave me kancer gjiri mbijetojnë të paktën pesë vjet pas diagnozës, ndërsa në vendet me të ardhura të ulëta kjo shifër bie në rreth 42%.
Sipas raportit, pothuajse katër në dhjetë raste të kancerit lidhen me faktorë të parandalueshëm, si duhani, alkooli, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, ndotja e ajrit dhe infeksione të caktuara.
OBSH thekson se shumica e njerëzve do të preken nga kanceri gjatë jetës, drejtpërdrejt ose përmes një familjari, ndërsa sëmundja vazhdon të ketë pasoja të rënda shëndetësore, sociale dhe ekonomike. Organizata u bën thirrje qeverive të investojnë më shumë në parandalim, diagnostikim të hershëm dhe trajtim të barabartë për të gjithë.