Vrasja e Eglant Koçit: Mand Dhelpra u fsheh 10 ditë në Elbasan, lëvizte me taksi me pamje të ndryshuar

Vrasja e Eglant Koçit: Mand Dhelpra u…

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ngjarje për të cilën autoritetet kanë shpallur në kërkim Armand Shakajn.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, menjëherë pas krimit, Shakaj dyshohet se u largua drejt qarkut të Elbasanit, ku qëndroi i fshehur për afro 10 ditë. Gjatë kësaj kohe ai mendohet se ka ndryshuar pamjen e jashtme për të shmangur identifikimin nga policia.

Hetimet tregojnë se ai ka lëvizur në zona të ndryshme të qarkut, duke qëndruar herë në hotele e herë në apartamente të marra me qira ditore. Në rastet kur i është kërkuar dokument identifikimi, dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara.

Po sipas hetuesve, Shakaj ka shmangur përdorimin e automjeteve personale dhe është transportuar vetëm me taksi. Dyshohet se ai ka qëndruar edhe në zonat e Peqinit dhe Cërrikut, duke ndjekur të njëjtën skemë për të mos lënë gjurmë.

Verifikimet e kryera pas krimit kanë konfirmuar një pjesë të këtyre lëvizjeve. Në një moment, policia arriti të lokalizonte sinjalin e telefonit celular të Shakajt në qarkun e Elbasanit dhe organizoi një operacion për arrestimin e tij, por 41-vjeçari u largua pak para ndërhyrjes së efektivëve, duke humbur sërish gjurmët.

Ai vijon të jetë në arrati, ndërsa dyshohet se po ndihmohet nga persona të afërt me të, me të cilët vazhdon të mbajë kontakte.

Sipas dosjes hetimore, më 4 qershor Armand Shakaj dyshohet se vrau mikun e tij, Eglant Koçi. Pas krimit, ai transportoi trupin e pajetë drejt zonës së Majës së Korrës, në një lartësi prej rreth 1.450 metrash, pranë fshatit Cerrujë, ku e braktisi. Trupi u zbulua nga policia rreth dy javë më vonë.

Hetimet kanë rindërtuar edhe lëvizjet e fundit të viktimës. Koçi u pa për herë të fundit pranë sheshit “Wilson” në Tiranë, duke lëvizur me motor. Një tjetër pamje e siguruar nga grupi hetimor e tregon atë në një servis automjetesh rreth orës 10:13 të datës 4 qershor, pak para se dyshohet të ishte marrë peng. Një ditë më vonë, familjarët denoncuan zhdukjen e tij.

Motori i 34-vjeçarit u gjet më pas pranë zonës së “5 Majit” nga specialistët e Krimeve të Rënda. Gjithashtu, policia identifikoi edhe ambientin ku dyshohet se Koçi u mbajt pas rrëmbimit. Nga ky vend është filmuar duke dalë Armand Shakaj me një automjet, me të cilin dyshohet se transportoi viktimën.

Gjatë kontrollit të automjetit, ekspertët konstatuan njolla gjaku, të cilat u sekuestruan dhe u dërguan për analiza laboratorike.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar Enea Zyferi, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit. Ai rezulton të ketë qenë i punësuar në lokalin në pronësi të Armand Shakajt.

Megjithëse Eglant Koçi ishte i punësuar në një mobilieri, hetuesit dyshojnë se ai ishte i përfshirë edhe në aktivitetin e kriptomonedhave, pistë që konsiderohet një nga drejtimet kryesore të hetimit.

Ndërkohë, Armand Shakaj mbetet ende në kërkim. Sipas burimeve hetimore, ai ka ndërruar gjashtë numra telefoni në përpjekje për t’iu shmangur lokalizimit nga policia. Numrat rezultojnë të regjistruar në emrin e tij dhe të familjarëve, ndërsa sinjalet telefonike tregojnë se janë përdorur në zona të ndryshme të Tiranës.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe vëllain e Shakajt si person që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e tij, por deri tani ai nuk ka dhënë informacion që të ndihmojë autoritetet.

Ndërkohë, analiza e kompjuterëve të sekuestruar në zyrat e Armand Shakajt ka zbuluar të dhëna mbi llogari të lidhura me kriptomonedhat, çka ka forcuar dyshimet se motivi i vrasjes mund të ketë qenë një konflikt financiar i lidhur me këtë aktivitet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit