Vrasja e Edmond Sulës në Bërxullë: Atentati u krye nga vrasës me pagesë, kamerat filmuan gjithçka

Vrasja e Edmond Sulës në Bërxullë: Atentati…

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 50-vjeçarit Edmond Sula në Bërxullë, ku grupi hetimor po punon mbi pistën se atentati është kryer nga vrasës me pagesë. Dyshimet janë përforcuar nga mënyra e organizuar e ekzekutimit dhe skema e largimit të autorit pas krimit.

Sipas burimeve hetimore, autori ka qëndruar në pritje pranë banesës së viktimës dhe ka goditur në momentin kur Edmond Sula zbriti nga automjeti për të hyrë në oborr. Dyshohet se ai është qëlluar me një plumb në kokë, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Hetuesit besojnë se të shtënat mund të jenë kryer nga një distancë prej rreth 60 deri në 100 metrash, duke ngritur dyshime se është përdorur një armë me dylbi ose me karakteristika të ngjashme me një snajper.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar autorin teksa largohet në këmbë nga vendi i ngjarjes. Sipas hetimeve, ai dyshohet se është pritur më tej nga bashkëpunëtorë me automjet, të cilët i kanë mundësuar arratisjen.

Edmond Sula ishte i njohur për Policinë e Shtetit, pasi në të kaluarën ishte proceduar për disa vepra penale, mes të cilave rrahje, grabitje dhe konflikte të tjera.

Pista kryesore e hetimit lidhet me konflikte të mundshme për prona. Sula merrej me aktivitet në fushën e shitblerjes së pronave dhe hetuesit po verifikojnë nëse ky aktivitet mund të ketë sjellë përplasje që kanë përfunduar me atentatin. Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për konflikte apo mosmarrëveshje që ai mund të ketë pasur kohët e fundit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit