Një prej të miturave e përfshirë në dhunimin e një 17-vjeçareje në Fier rezulton të ketë pasur më herët probleme të vazhdueshme me sjelljen dhe konflikte me familjen, ndërsa aktualisht ndodhet e shtruar në një spital psikiatrik. Sipas informacioneve të bëra publike, 15-vjeçarja kishte qenë më parë në vëmendje të institucioneve për shkak të episodeve problematike.
Raportohet se e mitura kishte denoncuar babanë e saj për dhunë në familje, çështje për të cilën ai kishte vuajtur një periudhë dënimi me burg. Më pas, sipas të njëjtave burime, ajo dyshohet se ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së saj, ndërsa familja kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për trajtimin e situatës.
Ndërkohë, bëhet e ditur se sjelljet e saj problematike ishin evidentuar fillimisht nga shkolla, çka kishte çuar edhe në përjashtimin e saj nga institucioni arsimor dhe transferimin në një shkollë tjetër. Pas përshkallëzimit të ngjarjeve, është kërkuar shtrimi i saj në psikiatri, ndërsa hetimet për dhunimin e 17-vjeçares në Fier vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.