Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për një nga rojet private të arrestuara pas përplasjeve me protestuesit në Zvërnec më 31 maj.
Për Gazmend Vathin, i cili ishte lënë në burg nga Gjykata e Vlorës, Apeli vendosi zëvendësimin e masës me “arrest në shtëpi”. Ndërkohë, për Artur Granin u la në fuqi masa “arrest në burg”.
Po ashtu, prej orës 14:00 është duke u shqyrtuar edhe ankimi i pronarit të kompanisë Major Security, Geraldo Biba, lidhur me masën e sigurisë të caktuar ndaj tij.
Përplasjet në Zvërnec ndodhën gjatë protestës së banorëve kundër punimeve në zonë. Gjatë incidentit, një protestues u filmua teksa tërhiqej zvarrë nga punonjësit e sigurisë private, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët u kritikuan për mungesë ndërhyrjeje.
Në atë protestë u përdor edhe spraj piper ndaj qytetarëve, duke përshkallëzuar më tej tensionet.
Ngjarja solli pasoja edhe në radhët e Policisë së Shtetit, pasi drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, u shkarkua nga detyra. Ndërkohë, protestat e banorëve në Zvërnec kanë vijuar edhe pas incidentit, me kërkesën për ndalimin e punimeve në zonë.