"E kapa nga këmbët që të mos e thithte jashtë avioni", gruaja rrëfen tmerrin gjatë fluturimit

“E kapa nga këmbët që të mos…

Një grua ka treguar momentet dramatike që përjetoi gjatë një fluturimi të Ryanair nga Selaniku drejt Memmingenit në Gjermani, kur një dritare e avionit u shkëput në ajër, duke rrezikuar jetën e bashkëshortit të saj.

Svetlana Grković rrëfeu se burri i saj, Ljubisa Karović, u tërhoq pjesërisht jashtë avionit nga forca e dekompresionit dhe për rreth dy minuta mbeti me trupin deri në gjoks jashtë kabinës.

“Reagova menjëherë dhe i kapa këmbët. Mendova vetëm një gjë: nëse do të vdisnim, do të vdisnim bashkë”, u shpreh ajo për mediat.

Sipas saj, me ndihmën e dy pasagjerëve të tjerë arritën ta tërhiqnin sërish brenda avionit, ndërsa 61-vjeçari humbi ndjenjat tri herë gjatë incidentit.

“Vajza që ishte ulur pranë tij e mbante nga dora. Ne të tre e tërhoqëm brenda. Në atë moment ranë maskat e oksigjenit dhe shpërtheu paniku”, tregoi Grković.

Pasagjerët tentuan të bllokonin hapjen e krijuar nga dritarja duke vendosur një valixhe përpara saj, por ajo u thith menjëherë jashtë avionit për shkak të presionit të madh të ajrit.

Sipas gruas, gjithçka mund të ketë nisur pasi një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren pranë vendit ku ishte ulur bashkëshorti i saj, duke shkaktuar dekompresion të menjëhershëm në kabinë. Edhe disa pasagjerë të tjerë thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë, të ngjashme me një shpërthim, megjithëse autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende këtë version.

Një ekspert teknik i angazhuar nga familja dyshon se një defekt në motorin e djathtë mund të ketë bërë që copëza metali të godisnin dritaren, por hetimet zyrtare vijojnë.

Sipas dëshmive, fakti që Karović kishte vendosur rripin e sigurimit ishte vendimtar për të mos u nxjerrë plotësisht jashtë avionit.

61-vjeçari ndodhet ende në spital me lëndime të rënda dhe në gjendje shoku.

“Për mua ka rëndësi vetëm që është gjallë. Ka dëmtime serioze në dorë, djegie dhe nuk arrin të komunikojë normalisht. Madje nuk e kujton të gjithë ngjarjen”, tha bashkëshortja e tij.

Ajo shtoi se burri i saj dridhet sa herë përmendet fjala “avion”, ndërsa edhe vetë vazhdon të vuajë pasojat psikologjike të asaj që ndodhi.

“Kisha frikë se do të humbnim jetën. Mendova se avioni do të rrëzohej”, tha ajo.

Sipas të dhënave të fluturimit, avioni humbi rreth 2.700 metra lartësi vetëm 10 minuta pas ngritjes, përpara se pilotët ta kthenin në aeroportin e Selanikut.

Në reagimin e saj, Ryanair konfirmoi se avioni u rikthye menjëherë pas ngritjes pasi një dritare e kabinës së pasagjerëve u shkëput gjatë fluturimit. Kompania bëri të ditur se ulja u krye në mënyrë të sigurt dhe se një pasagjer mori ndihmë mjekësore pas mbërritjes.

Ngjarja po hetohet nga Autoriteti Helen për Hetimin e Sigurisë Ajrore dhe Hekurudhore, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Boeing, Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së (FAA) dhe Agjencisë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA). Avioni i përfshirë në incident ishte një Boeing 737-800, ndërsa ngjarja ndodhi në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit