Përmbyset varka me emigrantë në brigjet e Libisë, dyshohet për rreth 50 viktima

Përmbyset varka me emigrantë në brigjet e…

Një tjetër tragjedi është regjistruar në Detin Mesdhe, pranë brigjeve lindore të Libisë, ku një varkë me emigrantë është përmbysur gjatë tentativës për të arritur në Europë.

Sipas burimeve të sigurisë libiane, në mjetin lundrues ndodheshin rreth 60 persona, mes tyre gra dhe fëmijë. Deri më tani, vetëm 10 persona janë shpëtuar, ndërsa rreth 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe dyshohet se kanë humbur jetën në det.

Operacioni i shpëtimit u zhvillua pranë ishullit El-Bardaa, rreth 70 kilometra në perëndim të Tobrukut, afër kufirit me Egjiptin. Të mbijetuarit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas dëshmive të tyre, varka ishte nisur në orët e para të mëngjesit nga brigjet libiane, ndërsa pasagjerët ishin emigrantë nga vende të ndryshme të Afrikës Sub-Sahariane, të cilët kërkonin të arrinin në Europë.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një tjetër operacioni shpëtimi në zonën e Tobrukut, ku autoritetet nxorën katër trupa të pajetë dhe shpëtuan 24 emigrantë të tjerë nga një varkë që kishte mbetur për javë të tëra në det. Sipas autoriteteve, kushtet çnjerëzore në bord dhe mungesa e ushqimit e ujit sollën vdekjen e katër personave.

Libia vazhdon të mbetet një nga pikat kryesore të nisjes së emigrantëve drejt Europës. Pas rrëzimit të regjimit të Muamar Gadafit në vitin 2011, vendi është kthyer në një korridor të rëndësishëm për trafikantët e qenieve njerëzore, ndërsa mijëra emigrantë çdo vit rrezikojnë jetën duke kaluar Mesdheun me mjete të pasigurta.

Autoritetet vijojnë kërkimet në zonë, ndërsa bilanci i viktimave pritet të ndryshojë me avancimin e operacionit të shpëtimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit