"Një shqiptar na ndihmoi": Rrëfehet gruaja e serbit që ‘u thith’ nga ajri në avionin e Ryanair

“Një shqiptar na ndihmoi”: Rrëfehet gruaja e…

Një fluturim i Ryanair, i operuar nga Malta Air nga Selaniku drejt Memmingenit në Gjermani, u kthye në një makth për pasagjerët, pasi një defekt në motor shkaktoi dekompresim të menjëhershëm të kabinës dhe nxori pjesërisht jashtë avionit një 61-vjeçar.

Heroina e atyre çasteve ishte bashkëshortja e tij, Svetlana Grkoviç, e cila nuk ia lëshoi këmbët për asnjë moment, ndërsa ai po tërhiqej nga forca e ajrit jashtë avionit.

“Nëse do të vdisnim, do të vdisnim bashkë”, rrëfeu ajo për median serbe Nova, duke kujtuar momentet dramatike.

Sipas saj, Ljubiša Karoviç mbeti i varur jashtë avionit deri në kraharor për rreth dy minuta. Me ndihmën e dy pasagjerëve të tjerë, ajo arriti ta tërhiqte sërish brenda, ndërsa ai humbi ndjenjat tri herë.

Ngjarja ndodhi vetëm shtatë minuta pas ngritjes së avionit Boeing 737-800 nga Selaniku. Dyshohet se dëmtimi i një tehu të motorit të djathtë shkaktoi thyerjen e dritares pranë vendit ku ishte ulur Karoviçi, duke sjellë dekompresim të menjëhershëm të kabinës.

Fakti që 61-vjeçari kishte vendosur rripin e sigurimit rezultoi vendimtar, pasi pengoi që ai të nxirrej plotësisht jashtë avionit.

Karoviç vijon të jetë i shtruar në spital në Greqi në gjendje të rëndë. Bashkëshortja e tij tha se ai ka dëmtime serioze në njërën dorë, djegie dhe nuk arrin ende të komunikojë, ndërsa kujton shumë pak nga ajo që ndodhi.

Mes emocioneve, Grkoviç falënderoi edhe pasagjerët që i erdhën në ndihmë, duke veçuar një burrë që, sipas saj, ishte shqiptar.

“Ai na shpëtoi. Nuk ia di emrin, por do të doja ta takoja përsëri për ta falënderuar nga zemra”, u shpreh ajo.

Edhe pasagjerë të tjerë përshkruan skena paniku, duke treguar se maskat e oksigjenit ranë menjëherë dhe shumë prej tyre menduan se avioni po rrëzohej.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për incidentin, me mbështetjen e Boeing, FAA, EASA dhe NTSB të SHBA-së.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit