Gropa pranë Kopshtit Zoologjik rrezikon shoferët, janë dëmtuar 13 makina

Gropa pranë Kopshtit Zoologjik rrezikon shoferët, janë…

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë alarmante në një nga akset më të frekuentuara të Tiranës.

Sipas tij, në rrugën nga nënkalimi i Kopshtit Zoologjik në drejtim të TEG-ut është krijuar një gropë e madhe në asfalt, e cila po shkakton dëme të shumta te automjetet dhe po rrezikon seriozisht sigurinë e drejtuesve.

Qytetari tregon se në vetëm 10 minuta ka parë mbi 13 automjete që kanë çarë gomat, kryesisht ato të krahut të pasagjerit. Në disa raste dëmet kanë qenë edhe më të mëdha, pasi drejtuesve u janë shtrembëruar disqet, madje disa mjeteve u ka dalë goma nga vendi si pasojë e goditjes së fortë.

Përtej kostove të riparimit, shqetësimi më i madh mbetet rreziku për aksidente. Një goditje e papritur në një gropë të tillë, sidomos me shpejtësi, mund të bëjë që drejtuesi të humbasë kontrollin e mjetit, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tij, por edhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Qytetari u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për riparimin e segmentit, përpara se kjo neglizhencë të shkaktojë pasoja edhe më të rënda se dëmtimi i automjeteve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit