Në kulmin e sezonit turistik, kur mijëra pushues kanë zgjedhur Sarandën për të kaluar pushimet, qyteti bregdetar po përballet me një situatë alarmante higjieno-sanitare.
Prej rreth 10 ditësh, sipas denoncimeve të qytetarëve, zona të ndryshme të Sarandës janë pushtuar nga era e rëndë e fekaleve, ndërsa ujërat e zeza kanë dalë jashtë sistemit të kanalizimeve duke përfunduar në rrugët e qytetit dhe në det.
Qytetarët raportojnë se disa puseta kanë shpërthyer, duke nxjerrë në sipërfaqe ujëra të ndotura që përhapen në hapësirat publike, duke krijuar jo vetëm një pamje të rëndë për një qytet turistik, por edhe një rrezik serioz për shëndetin e banorëve dhe pushuesve.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se bëhet fjalë për periudhën më të ngarkuar të vitit, kur Saranda mirëpret numrin më të madh të turistëve. Në vend të një qyteti bregdetar të pastër dhe mikpritës, pushuesit përballen me aromën e rëndë të kanalizimeve dhe ndotjen që vjen nga mungesa e ndërhyrjes.
Derdhja e ujërave të zeza në det është një problem që prek drejtpërdrejt cilësinë e plazheve dhe imazhin turistik të qytetit. Ndërsa qytetarët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse, deri tani situata vijon të mbetet e pazgjidhur.
Në një kohë kur reklamohet turizmi dhe investohen miliona për promovimin e bregdetit shqiptar, pamje të tilla tregojnë një realitet krejt tjetër: një qytet turistik që po përballet me një krizë të rëndë infrastrukturore pikërisht atëherë kur duhet të ishte në kulmin e funksionimit.