Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të martë në Institucionin e Paraburgimit të Vlorës, ku një i paraburgosur ka humbur jetën.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është një shtetas 50-vjeçar nga Maqedonia e Veriut. Ai mësohet se është ndjerë keq brenda ambienteve të paraburgimit, çka ka bërë që të transportohej me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, 50-vjeçari ka mbërritur në spital pa shenja jete, ndërsa mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshimet e para janë për një arrest kardiak si shkak të humbjes së jetës, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe njoftimi zyrtar i autoriteteve për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.