Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor për përfshirjen në grupin kriminal që organizoi dhe ekzekutoi ish-efektivin e Policisë së Shtetit, Santiago Malko.
Rigjykimi në Apelin e GJKKO-së u zhvillua pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi që vendimi i dhënë në Shkallën e Parë të mos ndryshohej. Trupa gjykuese pranoi kërkesën e SPAK, duke konfirmuar dënimin me 28 vite burg për Selmanin.
Sipas hetimeve, Selmani konsiderohet pjesë e grupit kriminal të njohur si “Klani Duka”, të cilit i atribuohet organizimi dhe realizimi i atentatit ndaj Santiago Malkos në gusht të vitit 2019, në zonën e Xhamllikut në Tiranë.
Dosja e SPAK e akuzon Selmanin si një nga personat e përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes. Sipas organit të akuzës, atentati lidhej me konfliktin e ashpër mes grupit “Duka” dhe Ervis Martinajt, me të cilin Malko kishte lidhje të afërta. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit 2022 dhe fati i tij mbetet ende i paqartë.
Hetimet për ngjarjen u mbështetën edhe në komunikimet e siguruara nga platforma e enkriptuar SkyECC, të cilat, sipas SPAK, ndihmuan në zbardhjen e plotë të atentatit.
Për këtë dosje, GJKKO ka dënuar gjithashtu me burg edhe Leonard Dukën, Fatmir Hysenin, Aleksandër Maxhakun, Dritan Agën dhe Oltian Logën.