Një histori e pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Itali dhe Shqipëri, pasi rreth 350 shezlongë të vjedhur në vitin 2024 nga kompleksi sportiv dhe rekreativ Onde Chiare në Reggio Emilia janë identifikuar në një plazh në Kepin e Rodonit, në veri të Durrësit. Pajisjet, me vlerë mbi 45 mijë euro, u vodhën gjatë natës nga persona të panjohur, ndërsa një vit më vonë një turiste nga Reggio Emilia, e cila po pushonte në Shqipëri, njohu shezlongët falë logos së “Onde Chiare” që ishte ende e dukshme dhe njoftoi administratorët duke u dërguar fotografi.
Menaxherët e qendrës, Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, angazhuan avokatin Gianluca Dallari për të nisur procedurat ligjore në Itali dhe në Shqipëri me synimin për rikthimin e pajisjeve. Sipas tyre, autoritetet shqiptare duhej t’i sekuestronin shezlongët pasi ishin identifikuar, por një tjetër kliente që vizitoi së fundmi zonën u dërgoi një video ku shihej se ato vazhdonin të përdoreshin nga pushuesit në të njëjtin stabiliment bregdetar. Administratorët shprehën zhgënjimin për mungesën e një zgjidhjeje, pavarësisht denoncimeve, procedurave ligjore dhe shpenzimeve të bëra gjatë dy viteve.
Për ta bërë rastin publik, Onde Chiare publikoi videon në Instagram, duke etiketuar mediat italiane, emisionin investigativ “Le Iene” dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama. Në postim ata shkruajnë se kërkojnë vetëm rikthimin e pronës së tyre dhe duan të kuptojnë se si është e mundur që, edhe pse shezlongët janë identifikuar prej më shumë se një viti, çështja ende nuk ka marrë zgjidhje. Postimi është bërë viral në rrjetet sociale, duke grumbulluar mijëra shikime, qindra pëlqime dhe dhjetëra shpërndarje, ndërsa pronarët shpresojnë se presioni mediatik do t’i shtyjë autoritetet të veprojnë për zbardhjen e rastit dhe kthimin e pajisjeve të vjedhura.