Pamje apokaliptike në SHBA, tymi toksik rrezikon finalen Spanjë-Argjentinë

Pamje apokaliptike në SHBA, tymi toksik rrezikon…

Cilësia e dobët e ajrit në New York dhe New Jersey ka ngritur shqetësime vetëm pak ditë përpara finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës. Tymi i dendur i përhapur nga zjarret masive në Canada ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet atmosferike, duke bërë që autoritetet lokale t’u kërkojnë qytetarëve të shmangin aktivitetet fizike në ambiente të hapura.

Në zonën e East Rutherford, New Jersey, ku do të zhvillohet finalja e madhe, niveli i grimcave ndotëse ka arritur deri në shtatë herë mbi standardet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kryetari i Bashkisë së New York, Zohran Mamdani, ka lëshuar një apel urgjent për publikun, duke u kërkuar njerëzve të kufizojnë kohën jashtë dhe të shmangin sforcimet fizike për shkak të rritjes së toksinave të lidhura me nxehtësinë.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në planet e kombëtares së Argjentinës, e cila ka shtyrë qëndrimin në Georgia dhe do të mbërrijë në New Jersey 24 orë më vonë nga sa ishte parashikuar.

Ndërkohë, kombëtarja e Spanjës zbarkoi në New Jersey të mërkurën në mbrëmje pas fitores në gjysmëfinale ndaj Francës dhe menjëherë zhvilloi një seancë stërvitore në ajër të hapur, pa bërë komente zyrtare për situatën e ajrit.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë rrezik për shtyrjen e finales së Kupës së Botës. Organizatorët presin që ndeshja të zhvillohet sipas planit, përpara më shumë se 80 mijë spektatorëve.

Parashikimet e motit tregojnë se situata pritet të përmirësohet gradualisht, ndërsa reshjet e shiut të parashikuara për të shtunën do të ndihmojnë në shpërndarjen e tymit dhe pastrimin e ajrit para finales së madhe.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit