Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.3 ka goditur ditën e sotme brigjet pranë Puerto Madero, në shtetin e Chiapas të Meksikës, sipas të dhënave të përditësuara nga Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS).
Fillimisht lëkundja u raportua me magnitudë 7.4, por më pas vlerësimi u rishikua në 7.3. Tërmeti ka pasur një thellësi prej vetëm 10 kilometrash, çka zakonisht shoqërohet me lëkundje më të forta në sipërfaqe dhe potencial më të madh për dëme.
Pas goditjes, autoritetet kanë lëshuar një alarm për cunami, duke paralajmëruar se valë të rrezikshme mund të godasin brigjet e Paqësorit brenda një rrezeje prej 300 kilometrash nga epiqendra.
Puerto Madero, një port i rëndësishëm peshkimi në brigjet e Paqësorit, ndodhet rreth 13 kilometra nga kufiri me Guatemalën.
Deri tani nuk ka raportime zyrtare për viktima apo dëme të mëdha materiale, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe u kanë bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të ndjekin udhëzimet e emergjencës.