Sejko i shpëton prangave dhe sapunit: Nuk arrestohet pa lejen e Kushtetueses

Sejko i shpëton prangave dhe sapunit: Nuk…

Gent Sejko mund të flejë më i qetë. Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë po i përgatit Guvernatorit dhe zëvendësve të tij një mburojë procedurale që i mban larg prangat, kontrollet dhe, me sa duket, edhe sapunin e burgut.

Sipas draftit, prokuroria nuk mund ta arrestojë Guvernatorin, t’i kufizojë lirinë, ta kontrollojë personalisht apo t’i hyjë në banesë pa marrë më parë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ndërsa qytetarit të zakonshëm policia mund t’i trokasë drejtpërdrejt në derë, për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë duhet plotësuar më parë formulari i imunitetit institucional.

Përjashtim bëhet vetëm kur Guvernatori ose zëvendësguvernatorët kapen në flagrancë apo ndiqen menjëherë pas kryerjes së një vepre penale. Në çdo rast tjetër, prangat duhet të presin në korridor derisa Kushtetuesja të vendosë nëse mund të hyjnë apo jo.

Drafti i jep Gjykatës Kushtetuese dy javë kohë për të shqyrtuar kërkesën e prokurorit. Por pjesa më interesante është se, nëse gjykata nuk merr vendim brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet automatikisht e refuzuar.

Me fjalë të tjera, edhe heshtja funksionon në favor të Guvernatorit. Mjafton që ora të ecë, kalendari të mbushë 14 ditët dhe urdhri për arrestim të përfundojë në kosh pa qenë nevoja që dikush të thotë hapur “jo”.

Zyrtarisht, ndryshimet paraqiten si një garanci për pavarësinë dhe funksionimin normal të Bankës së Shqipërisë. Por për publikun pamja është më e thjeshtë: Sejkos po i vendoset një portë shtesë mes tij dhe drejtësisë, ndërsa Kushtetuesja merr në dorë çelësat e mundshëm të qelisë.

Sigurisht, projektligji nuk do të thotë se Gent Sejko akuzohet apo ka kryer ndonjë vepër penale. Ai thjesht siguron që, edhe nëse një prokuror do të kërkonte ta arrestonte apo kontrollonte, rruga të mos ishte aq e shkurtër sa për qytetarët e zakonshëm.

Kështu, nëse drafti miratohet, Guvernatori jo vetëm që i shpëton prangave pa lejen e Kushtetueses, por edhe sapuni i burgut mund të mbetet gjatë në raft, duke pritur një klient që ligji nuk e lejon të mbërrijë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit