Një konflikt familjar i ndodhur mbrëmjen e së premtes në Korçë ka përfunduar me plagosjen e një 18-vjeçari me mjet prerës. Sipas Policisë, i riu A. S. është paraqitur rreth orës 21:55 në Spitalin Rajonal të Korçës me plagë në kokë, ndërsa nga verifikimet paraprake ka rezultuar se ai ishte dëmtuar gjatë një sherri me njerkun e tij, N. B., 37 vjeç.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i konfliktit, por është lokalizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë falë reagimit të menjëhershëm. 37-vjeçari u shoqërua në komisariat për kryerjen e veprimeve procedurale, ndërsa ndaj tij vijojnë procedurat ligjore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e konfliktit që çuan në plagosjen e të riut. Sipas Policisë, dyshohet se ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit për motive të dobëta brenda familjes.