Një operacion shpëtimi është zhvilluar mbrëmjen e kësaj të shtune në malin e Çikës, pasi dy turistë gjermanë humbën orientimin gjatë një ecjeje në zonën malore.
Sipas informacioneve paraprake, dy të rinjtë, të dy 18 vjeç, kishin nisur itinerarin rreth orës 15:00, por gjatë eksplorimit dolën nga shtegu dhe nuk arritën më të gjenin rrugën e kthimit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt zonës u nisën shërbimet e Policisë së Shtetit, efektivë të Delta Force, Policia e Dhërmiut, ekipet zjarrfikëse dhe stafi mjekësor, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe nxjerrjen e tyre në një vend të sigurt.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjatë përpjekjes për të zbritur nga terreni i vështirë, njëri prej turistëve është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime, duke e bërë edhe më të vështirë operacionin e shpëtimit.