Në teatrin “Petro Marko” në Vlorë po mbahen homazhe në nderim të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti me motor në zonën e Porto-Novës. Homazhet zhvillohen nga ora 12:00 deri në 14:00, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë po i japin lamtumirën e fundit gazetarit të ndjerë.
Mes të pranishmëve në ceremoninë mortore ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e Mehmetit. Kryeministri u pa duke përqafuar për disa çaste nënën e gazetarit, në një moment prekës solidariteti dhe dhimbjeje për humbjen e tij.
Enrik Mehmeti humbi jetën mbrëmjen e së shtunës në një aksident të rëndë në plazhin e Porto-Novës. Sipas policisë, ai po drejtonte një motor me katër rrota kur, dyshohet si pasojë e një manovre të gabuar, humbi kontrollin e mjetit, i cili u rrokullis disa herë. Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e motomjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale. Në mjet ndodhej edhe një 18-vjeçar, i cili pësoi lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.