Atentati në Elbasan: Autori i maskuar me paruke qëlloi 7 herë, polici u vu në ndjekje

Atentati në Elbasan: Autori i maskuar me…

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Elbasan. Sipas burimeve, autori dyshohet se ishte i veshur me xhup dhe i maskuar me paruke. Ai është afruar në verandën e lokalit dhe ka hapur zjarr me pistoletë, duke lënë të plagosur Renaldo Mançen, 31 vjeç, Armand Tomorricën, 32 vjeç, si dhe kamarierin e lokalit, Bjorgi Hoxha, 19 vjeç.

Pas të shtënave, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në momentin e atentatit, brenda lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili ishte së bashku me dy fëmijët e tij. Sapo dëgjoi të shtënat, ai doli menjëherë dhe u vu në ndjekje të autorit, edhe pse nuk kishte me vete armën e shërbimit.

Gjatë arratisjes, autori dyshohet se hodhi pistoletën në tokë dhe më pas arriti të largohej në brendësi të lagjes. Policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në spital. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre është plagosur në shpatull, ndërsa një tjetër ka marrë plagë në këmbë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur deri tani gjashtë gëzhoja, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e atentatit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit