50% e të punësuarve në Shqipëri nga Filipinet, India e Egjipti

50% e të punësuarve në Shqipëri nga…

Tregu i punës në Shqipëri ka shënuar një rritje historike të punësimit të shtetasve të huaj, të cilët kanë arritur në 22,693 persona deri në qershor të vitit 2026, duke u rritur ndjeshëm nga 18,000 që ishte numri i tyre në fund të dhjetorit 2025.

Këto të dhëna vijnë nga Regjistri Elektronik për të Huajt i Policisë së Shtetit.

Nga ky total, pjesa dërrmuese prej 20,332 shtetasish janë të punësuar me leje unike nga kompanitë dhe bizneset, ndërsa 2,361 shtetas të tjerë janë regjistruar si të vetëpunësuar.

Struktura e punonjësve të huaj përcaktohet kryesisht nga tri shtete, të cilat përbëjnë rreth 50 për qind të totalit të të punësuarve me leje unike. Konkretisht, Filipinet kryesojnë listën me 3,552 shtetas ose rreth 16 për qind të totalit, të ndjekura ngushtë nga India me 3,423 shtetas ose 15 për qind, dhe Egjipti me 3,283 shtetas.

Sektori i shërbimeve dhe ai privat kanë absorbuar pjesën më të madhe të kësaj fuqie punëtore. Shumë sipërmarrës të bareve dhe restoranteve kanë orientuar punësimin drejt shtetasve nga Filipinet dhe India, të cilët angazhohen si kamarierë, pastrues apo kuzhinierë.

Fabrikat e prodhimit po ashtu kanë nisur të punësojnë inxhinierë të rinj nga India. Një zhvillim i dukshëm është edhe përhapja e punësimit në familje, ku shtetase nga Filipinet po angazhohen masivisht si dado për fëmijët, kujdestare për të moshuarit apo për mirëmbajtjen e shtëpisë. Nga ana tjetër, shtetasit nga Egjipti po orientohen kryesisht drejt sektorit të transportit, blegtorisë dhe agroturizmit.

Në kontrast me punëmarrësit që dominohen nga Azia dhe Afrika, kategoria e të vetëpunësuarve udhëhiqet qartë nga shtetasit italianë. Nga 2,361 leje unike për të vetëpunësuar, 868 prej tyre ose rreth 37 për qind i theksohen shtetasve italianë.

Pas Italisë, listës së të vetëpunësuarve i shtohen shtetasit nga Kosova me 283 leje, Turqia me 199, SHBA me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit