Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e së martës në qytetin e Korçës, ku një 66-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij, i cili ishte përfshirë nga flakët.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10 të Korçës, është raportuar një automjet tip “Benz” në flakë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat kanë konstatuar se në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej pa shenja jete 66-vjeçari Irakli Çinoku.
Burime paraprake bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime se i ndjeri mund të ketë kryer vetëvrasje duke u vetëdjegur brenda automjetit. Ka dyshime se ai ka lënë një letër lamtumire në banesë, ndërsa një ditë më parë kishte përcjellë bashkëshorten për në Greqi.
Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa Policia pritet të japë informacione të tjera pas përfundimit të hetimeve paraprake.