Një 25-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, i akuzuar për tentativën e rrëmbimit të dy vajzave të mitura në shtetin e Miçiganit, ka shkaktuar tension në sallën e gjyqit pasi u tregoi gishtin e mesit familjarëve të viktimave dhe u tërhoq në momentin e fundit nga marrëveshja për pranimin e fajësisë.
Endi Bala u paraqit në gjykatën e Mount Clemens për seancën lidhur me ngjarjet e ndodhura në gusht të vitit 2024. Ai pritej të pranonte një deklaratë “no contest”, që nënkupton se nuk kundërshton akuzat pa pranuar zyrtarisht fajësinë, por ndryshoi mendim pak para nisjes së seancës.
Gjatë seancës, Bala u shfaq i papërmbajtur dhe ndërpreu vazhdimisht procedurat, aq sa avokati i tij iu drejtua me fjalët: “Mbylle gojën”.
Sipas mediave amerikane, teksa po shoqërohej jashtë sallës së gjyqit, Bala u kthye nga familjet e vajzave dhe u tregoi gishtin e mesit. Nëna e njërës prej viktimave, Coryne Childers, reagoi e revoltuar, duke pyetur se si ishte e pranueshme që i akuzuari t’i provokonte, ndërsa familjarët paralajmëroheshin se do të nxirreshin jashtë sallës nëse reagonin.
Po ashtu, ai thuhet se iu drejtua me ironi hallës së njërës prej vajzave, Alecia Swejkowski, duke i thënë “Gëzuar ditëlindjen djalit tuaj”, pasi ajo përmendi se seanca e radhës përkonte me ditëlindjen e të birit.
Sipas akuzës, Bala tentoi të rrëmbente dy vajza, Olivia 7 vjeç dhe Alexis 15 vjeç, brenda një intervali prej rreth 45 minutash.
Prokuroria thotë se fillimisht ai kapi me forcë 15-vjeçaren Alexis, e cila po ecte pranë Clinton River Road në Clinton Township. Vajza arriti të shpëtonte falë ndërhyrjes së një kalimtari, Paul Billiter, i cili dëgjoi britmat e saj dhe nxitoi në ndihmë.
Pak më vonë, Bala dyshohet se iu afrua Olivias, e cila po lëvizte me biçikletë së bashku me hallën e saj në Sterling Heights. Ai e kapi vajzën dhe tentoi ta fuste me forcë në makinë. Halla e saj u përlesh me të për ta shpëtuar, ndërsa një drejtues tjetër automjeti bllokoi makinën e Balës, duke i dhënë mundësi vajzës të dilte.
Endi Bala përballet me akuza për rrëmbim dhe joshje të të miturve, vepra për të cilat rrezikon dënim deri në burgim të përjetshëm.
Seanca e ardhshme paraprake është caktuar për 24 gusht, ndërsa gjykimi pritet të zhvillohet në tetor. Edhe pse një psikiatër kishte vlerësuar më herët se ai ishte i papërgjegjshëm penalisht në kohën e ngjarjes, gjykata e ka shpallur kompetent për t’u përballur me procesin gjyqësor dhe ka rrëzuar kërkesën për shpalljen e tij të pafajshëm për shkak të çrregullimit mendor.