Një elektricist 55-vjeçar, punonjës i OSHEE-së, ka humbur jetën mbrëmjen e së martës në Himarë, gjatë kryerjes së detyrës.
Ngjarja ka ndodhur në kohën kur Himara dhe Saranda po përballeshin me një stuhi të fortë, e cila shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
55-vjeçari ishte ngjitur në një shtyllë elektrike për të rilidhur një kabëll të dëmtuar, kur dyshohet se iu këput rripi i sigurisë që e mbante të lidhur. Si pasojë, ai u rrëzua nga një lartësi rreth 9 metra dhe humbi jetën në vendngjarje.
Stuhia, e shoqëruar me erëra të forta, shkaktoi dëme të shumta në jug të vendit, duke rrëzuar pemë, dëmtuar automjete dhe lënë pa energji elektrike disa zona.